TRAVEL TIPS – MARBELLA
“Girls Trip në Marbella: Diell, Tapas dhe Plazh”
Nëse ka një gjë që më bën të buzëqesh kur mendoj për këtë udhëtim, është fakti që udhëtimet me shoqet janë gjithmonë më shumë se sa vetëm një udhëtim—janë momente të çmuara, plot diell, tapas, dhe sigurisht, qeshje të pafundme. Ky ishte udhëtimi ynë i shumëpritur në Marbella, me disa ndalesa, surpriza dhe aventura të paharrueshme.
Nga Tirana në Marbella: Një fillim aventuresk
Udhëtimi nisi me një fluturim të rehatshëm nga Tirana për në Romë, një përgjumje e lehtë dhe një kafe për t’u zgjuar sepse na priste një ditë e gjatë. Fluturimi nga Roma në Malaga ishte disi më i gjatë—2 orë e 30 minuta—por sapo zbritëm në tokën spanjolle, dielli i ngrohtë dhe atmosfera e Andaluzisë na bëri të ndiheshim sikur aventura po fillonte për së vërteti.
Pas disa minutash pritje, morëm makinën me qira nga kompania Wiber për vetëm 120 euro për 4 ditë. Na morën me furgon në aeroport dhe na çuan te zyrat e tyre që ndodheshin rreth 5 minuta larg. E lehtë, pa stres. Për të gjithë udhëtarët që duan komoditet, ky ishte një fillim i mbarë.
Nga Malaga në Marbella zgjati rreth 45 minuta dhe arritëm rreth orës 14:00. Makina na ishte e nevojshme jo vetëm për të lëvizur, por edhe për eksplorimet që kishim planifikuar në ditët në vijim. Parkimi? Një surprizë e këndshme, me çmime shumë të volitshme në qendër të Old Town dhe mundësi për parkim falas në rrugë.
Marbella: Një miks perfekt mes historisë dhe modernitetit
Duplex-i ynë i rezervuar në Airbnb ishte në zemrën e Old Town dhe ndiheshim si në një film spanjoll: rrugica të ngushta me lule shumëngjyrëshe, lokale plot aromë dhe energji, dhe një ndjesi e qetë që na bënte të harrojmë gjithë botën përreth.
Nuk mund të nisesh në Spanjë pa provuar tapaset e famshme, kështu që dreka e parë ishte një festë për shijet tona. Zgjodhëm një lokal të këndshëm dhe për 12.5 euro morëm 6 tapas të ndryshme, ndër të cilat: empanadillas (të preferuarat tona!), calamares fritos, qofte me salcë, patatas bravas dhe disa përzgjedhje të tjera. Një këshillë për ata që nuk i preferojnë ushqimet pikante: spanjollët i duan erëzat, prandaj mos ngurroni të kërkoni versione më të lehta.
Pas një pasditeje relaksuese dhe një shëtitje përgjatë bregdetit, na priste mbrëmja në *Puerto Banus. Ky ishte vendi ku jetonte luksi: dyqanet e markave të njohura si Dior dhe Louis Vuitton, jahtet madhështore dhe atmosfera e një nate luksi. Kishim rezervuar darkë në “Mamzel”, një restorant në port, dhe për 170 euro, shijuam një darkë fantastike me shampanjë dhe ëmbëlsira. Çdo moment ishte i veçantë, dhe atmosfera e bënte akoma më të këndshme.
Eksplorime të fshehura rreth Marbella
Përveç plazheve dhe vendeve të njohura turistike, nëse kërkoni një eksperiencë pak më intime dhe të veçantë, ja disa vende më pak të njohura në afërsi të Marbella-s që ia vlejnë të vizitohen:
– Cueva de Nerja: Një udhëtim një orë larg Marbella, këto shpella mahnitëse të krijuara natyrshëm janë një mrekulli gjeologjike. Jashtë sezonit të verës, janë më pak të mbushura me turistë dhe ofrojnë një eksperiencë më të qetë.
– Estepona: Vetëm 30 minuta larg, ky qytet bregdetar më pak i famshëm se Marbella ka një plazh të bukur dhe një qendër të vjetër me rrugica të dekoruara me lule, të ngjashme me Marbella-n, por pa zhurmën dhe turmat.
– Mijas Pueblo: Një fshat i bardhë malor i vendosur mbi Costa del Sol, me pamje fantastike të bregdetit dhe një atmosferë autentike spanjolle. Për ata që kërkojnë diçka ndryshe nga luksi i Puerto Banus, ky fshat i bukur është vendi i përsosur për një pasdite të qetë.
– Ronda: Një nga qytetet më historikë dhe të bukur në Andaluzia, ndodhet rreth një orë larg nga Marbella. I famshëm për urën e tij mahnitëse mbi kanion, Ronda është një vend ideal për të pasur një ndjesi të plotë të kulturës spanjolle dhe peizazheve të jashtëzakonshme.
Këto vende ofrojnë një alternativë për ata që kërkojnë diçka më të veçantë dhe të qetë në krahasim me turizmin e njohur të Marbella-s dhe Puerto Banus.
Eksplorimi i Andaluzisë: Cordoba dhe Sevilla
Ditën tjetër nisëm një udhëtim drejt Cordoba, një qytet me një histori të thellë dhe kulturë të pasur. Udhëtimi ishte i lehtë, vetëm 3 orë me makinë, dhe sapo mbërritëm, gjetëm një parkim super të lirë: vetëm 1.7 euro për 24 orë. Nuk e bëmë këtë udhëtim thjesht për të parë një qytet të bukur, por edhe për të provuar njërin nga cheesecake-t më të shijshme ndonjëherë. Mund të them me siguri që nuk do të gjeni një më të mirë!
Në Sevilla, vizituam disa nga pikat kryesore turistike që nuk duhen humbur: Plaza de España dhe Royal Alcazar of Seville. Nëse planifikoni ta vizitoni këtë të fundit, bëni mirë të rezervoni biletat paraprakisht online, pasi është gjithmonë plot me turistë. Plaza de España është thjesht magjepsëse; është si të futesh në një skenë filmike të një filmi madhështor. Dreka në Sevilla ishte një tjetër kënaqësi për shijen tonë, me një prekje meksikane dhe një nga ëmbëlsirat më të mira që kemi provuar, Tres Leches.
Diell dhe plazhi në Boho Beach
Dita e fundit e udhëtimit ishte e rezervuar për relaks total. Zgjodhëm të shijonim diellin në Boho Beach. Për 20 euro për person, na ofruan çadër, peshqir dhe ujë, dhe e gjithë dita kaloi mes diellit të nxehtë dhe detit të freskët. Në mbrëmje, festa e famshme White Party në Nobu e bëri mbylljen e udhëtimit tonë të përkryer. Për vetëm 50 euro për person, morëm darkë, pije dhe ëmbëlsirë, ndërsa atmosfera festive na mbajti të kënaqura deri në orët e vona.
Deri herën tjetër, Marbella!
Në fund të këtij udhëtimi, mund të them se Marbella është një destinacion që nuk të zhgënjen. Por, nëse do ta bëja sërish, do të zgjidhja të qëndroja në Malaga—një qytet që ka më shumë për të ofruar, më shumë histori, dhe një atmosferë të gjallë kulturore. Marbella është e bukur, por Malaga ka atë diçka-në e veçantë që të tërheq dhe të bën të duash të qëndrosh më gjatë. Kudo që të shkoni në Andaluzinë e mrekullueshme, një gjë është e sigurt: do të ktheheni me zemrën plot dhe me kujtime të paharrueshme.

